PANALBANIAN

Lajmet shqip nga Finlanda

Skandal! Kryeministrja Marin bën jetë nate, ndërsa qeveria ishte urdhëruar të futej në karantinë

, , ,

Mediat finlandeze kanë kritikuar ashpër kryeministren Sanna Marin dhe qeverinë e saj për dështim në komunikimin e brendshëm lidhur me koronavirusin.

Shkak është bërë jeta e natës së të shtunës që kryeministrja dhe bashkëshorti i saj kanë shpenzuar në restorante dhe baret e natës. Mësohet se kryeministrja ka qëndruar në bar Butcher të Helsinkit deri në orën 4 të mëngjesit, ndërsa shefi i Sigurisë kishte dërguar mesazh të përsëritur që të gjithë anëtarët e kabinetit duhej të vetë-izoloheshin, pasi ministri i Jashtëm Pekka Haavisto kishte rezultuar i infektuar me koronavirus.

Ndërsa të gjithë kanë ndjekur udhëzimet e dërguara, Marin ka vazhduar të festojë gjithë natën. Ajo është justifikuar se mesazhet kanë mbërritur në një nga dy telefonat e saj, që ajo nuk e kishte me vete gjatë natës. Në telefonin tjetër, që mesa duket i paguhet nga parlamenti, ajo është informuar nga sekretari i shtetit për infeksionin me koronavirus të Haavisto, por – sipas saj – askush nuk e ka këshilluar që të izolohet. Ajo ka thënë se sekretari Henrik Haapajärvi i kishte thënë se ekspozimi ndaj koronavirusit nuk kërkonte të vihej në karantinë.

E kontaktuar nga mediat, kryeministrja ka thënë se duhej të kishte gjykuar më mirë dhe duhej të ishte konsultuar më tej rreth informacionit të dhënë. Ajo ka thënë se gjithnjë e ka një telefon me vete dhe është e disponueshme, duke lënë përgjegjësinë tek Shefi i Sigurisë që nuk e kanë kontaktuar me njoftimin për t’u izoluar deri sa të provohet se nuk është infektuar.

Marin tha se nuk besonte se ishte infektuar, pasi në mbledhjen e së premtes nuk kishte qëndruar pranë ministrit të Jashtëm dhe testi i bërë mëngjesin e ditës së dielë kishte rezultuar negativ.

Revista Seiska që raportoi e para për këtë ngjarje akuzon kryeministren se ajo ka qenë e vetëdijshme se po bënte gabim duke qëndruar në një vend publi, pasi ishte e informuar se ishte ekspozuar ndaj koronavirusit. Për këtë ata sjellin disa dëshmi të të pranishmëve në klubin e natës të cilëve Marin iu ka thënë që të mos postojnë video apo foto të saj, pasi është “konteksti i gabuar”.

Për mediat gjykimi i dobët i kryeministres vjen në një kohë kur qeveria ka pasur shumë vështirësi për të komunikuar me publikun se si të veprojë në mes të një situate të përkeqësuar të koronavirusit.

Çështja thelbësore është e thjeshtë. A duhet të ndiqet parimi i parandalimit dhe të shmangen kontaktet? Apo duhet të mbështetemi te vaksinat dhe të jetojmë një jetë aq të lirë sa e lejon pasaporta e koronavirusit?

About Post Author


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *