PANALBANIAN

Lajmet shqip nga Finlanda

Qysh prej ’90, vetëm 211 qytetarë të Shqipërisë morën shtetësinë finlandeze

, , , ,

Agjencia Shtetërore e Statistikave të Finlandës ka publikuar të enjten të dhënat më të fundit për shtetasit e huaj që kanë marrë shtetësinë finlandeze. Statistikat përfshijnë periudhën nga viti 1990 deri në 2020, duke dhënë detaje për vendin e origjinës, grupmoshat dhe gjininë e qytetarëve që kanë marrë shtetësinë e vendit nordik. Në këto statistika mund të mesojmë qartë vetëm numrin e shqiptarëve që kanë ardhur nga Republika e Shqipërisë, pasi për shqiptarët e Republikës së Kosovës nuk ka një zë të veçantë në këto statistika.

Shqiptarët e Shqipërisë që kanë marrë shtetësinë finlandeze llogariten në 211 persona. Në momentin kur kanë marrë pasaportën të gjithë kanë qenë nën moshën 50 vjeç. Megjithëse, shqiptarët kanë filluar të emigrojnë qysh prej rrezimit të regjimit komunist të Enver Hoxhës, të parët që kanë përfituar shtetësinë finlandeze rezultojnë në vitin 2002. Ata ishin një çift me një djalë dhe një vajzë, sikurse tregojnë statistikat.

Numri i atyre që kanë përfituar shtetësi nuk ka patur ndonjë rritje të madhe as me kalimin e viteve. Duket se të ftohtit, vështirësia në mësimin e gjuhës finlandeze, apo planet për të lëvizur drejt mëmëdheut a një vendi tjetër, nuk e kanë bërë Finlandën një destinacion të preferuar për bashkëkombasit tanë nga Shqipëria. Më së shumti, shqiptarë të Shqipërisë që kanë përfituar shtetësinë finlandeze janë shënuar në vitin e shkuar. Pikërisht në 2020 janë plot 32 persona që janë bërë me pasaportë finlandeze. Pasaporta finlandeze mbahet si një nga më të mirat në botë, pasi vetëm një grusht vendesh të kërkojnë të pajisesh me vizë.

Aktualisht, jo zyrtarisht, besohet se në Finlandë jetojnë rreth 1000 shtetas të Shqipërisë dhe rreth 11 mijë shqiptarë të Kosovës dhe trojeve të tjera etnike. Sipas disa statistikave që tregojnë përkatësinë gjuhësore dhe fetare, rezultojnë rreth 12 mijë shqipfolës në Finlandë.

Nga sa kuptohet prej statistikave, shqiptarët e Kosovës janë të përfshirë në shifrat e dhëna për ish – Republikën e Jugosllavisë, si edhe të ish- Federatës së Serbisë dhe Malit të Zi. Numri i qytetarëve që kanë ardhur nga këto dy republika dhe kanë marrë shtetësinë finlandeze llogaritet në rreth 4500 persona. Paksa e çuditshme, pasi Finlanda ështe një nga vendet e para që e ka njohur pavarësinë dhe Republikën e Kosovës, e ky realitet duhet të manifestohet edhe në statistikat zyrtare. Shqiptarët e Kosovës janë detyruar të lënë vatrat e tyre gjatë sundimit të egër të apartejdit serb. Pas shpalljes së pavarësisë numri i tyre rritet kryesisht për arsye ekonomike dhe lidhjet e shumta familjare që kanë në Finlandë.

 

About Post Author


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *