fbpx

Votimet në Shqipëri regjistrojnë incidente. BE-USA: Të hetohen

Në Shqipëri sot mbahen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, për herë të dhjetë që nga nisja e pluralizmit politik dhe rënia e komunizmit në vend. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 17:00, kanë votuar 43.71 për qind e votuesve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se janë regjistruar disa incidente, siç është fotografimi i votave apo hapja me vonesë e disa qendrave të votimit, por deri më tani nuk është raportuar për incidente serioze.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim dhe ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Sorca në një deklaratë për mediat nga qyteti i Durrësit, i kanë bërë thirrje prokurorëve të Shqipërisë që të hetojnë incidentet e ndodhura gjatë procesit të votimit.

“E di që janë raportuar disa incidente dhe tashmë është përgjegjësia e autoriteteve për të vazhduar hetimin. Siç e dini, ne i kemi bërë thirrje prokurorëve që ta ndjekin dhe të mund të hetojnë këto çështje deri në fund”, tha ambasadorja Kim.

Edhe Soreca ka përsëritur të njëjtat shqetësime.

“Votimi ka ecur mirë dhe pa probleme, me disa incidente, që do hetohen dhe në këto orë që kanë mbetur ftojmë qytetarët të votojnë”, tha ambasadori Luigi Soreca.

Rreth 3.6 milionë qytetarë shqiptarë me të drejtë vote do të votojnë për të zgjedhur 140 deputetët e parlamentit të ri dhe qeverinë e re që do të udhëheqë vendin për katër vjetët e ardhshme.

Në tërësi, në Shqipëri janë 12 qarqe, ku përfshihen 61 bashki, të ndara në 92 Zona të Administrimit Zgjedhor. Janë 383 njësi administrative të përfshira.

Nga ora 07:00 e mëngjesit deri në 19:00 të mbrëmjes, 5,199 qendra votimi do të jenë të hapura në gjithë vendin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d bloggers like this: