fbpx

Socialistët e Ramës votojnë sot shkarkimin e Presidentit Ilir Meta

Në Kuvendin e Shqipërisë sot votohet për shkarkimin e presidentit të Republikës, Ilir Meta, pasi deputetët e Partisë Socialiste në pushtet ngritën një Komision Hetimor parlamentar, i cili gjeti 17 shkelje të Kushtetutës.

Partisë në pushtet i duhen 94 vota për ta larguar presidentin nga detyra përpara përfundimit të mandatit.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste që ka nisur iniciativën për shkarkimin e presidentit, tha se Meta ka shkelur kompetencat e tij si president i vendit dhe se kuvendi sot do të votojë shkarkimin e tij.

“Meta ka tradhtuar misionin e presidentit, ka turpëruar popullin shqiptar në marrëdhënie me SHBA-në, ka zhgarravtur fytyrën e Shqipërisë në marrëdhënie me përfaqësuesit e bashkësisë demokratike ndërkombëtare në Shqipëri. Meta i ka humbur përfundimisht të gjitha shanset që i janë dhënë për t’u kthyer në binarët e arsyes ligjore. Shqipëria nuk mund ta mbajë më në kurriz Ilir Metën, prandaj ky parlament sot do të ushtrojë vullnetin e më shumë se 90 për qind të qytetarëve. Meta ka mbaruar punë dhe fjalët për të si president kanë mbaruar, tani të flasë parlamenti me vote”, tha kryeministri nga foltorja e kuvendit.

Komisioni Hetimor parlamentar i ngritur për të hetuar veprimtarinë e presidentit, Ilir Meta gjatë zgjedhjeve të 25 prillit i ka konsideruar “shkelje të rënda” qëndrimet dhe deklaratat e shprehura prej tij.

Në këtë raport, ndër tjerash thuhet se “presidenti shkeli 17 nene të Kushtetutës” dhe se “këto shkelje konsiderohen nga Komisioni si shkelje të rënda”.

Kreu i Komisionit Hetimor për shkarkimin e Metës, Alket Hyseni prezantoi para kuvendit raportin e këtij komisioni, duke thënë se kanë arritur në përfundim se Meta ka kryer shkelje të rënda dhe aktet e tij bien ndesh me nene të Kushtetutës dhe se presidenti ka shkaktuar dëm të madh për vendin dhe raportin me aleatët.

“Komisioni ushtroi veprimtarinë bazuar në funksionimin e procedurave dhe vendosi miratimin e raportit përfundimtar të hetimit, që paraqet gjetje të përcaktuara dhe në kërkesën e 49 deputetëve për shkarkimin e presidentit, Komisioni u bazua në fakte dhe rrethana të cilat janë shënuar edhe në raport. Presidenti me veprimet e tij ka shkelur shumë nene të Kushtetutës, të cilat konsiderohen si shkelje të rënda. Sjelljet e presidentit kanë pasur një ndikim shumë të keq në opinionin publik dhe në politikë”, tha Hyseni.

Ndërkohë, Partia Socialiste, e cila fitoi zgjedhjet në Shqipëri për herë të tretë, ka nisur një proces me të cilin pretendon ta shkarkojë presidentin duke thënë se ai ka shkelur Kushtetutën me gjuhën e përdorur në deklaratat e tij para, gjatë dhe pas fushatës zgjedhore.

Deputetët socialistë kanë thënë se presidenti Meta ka bërë shkelje flagrante të Kushtetutës së Shqipërisë dhe se “me veprimet, sjelljet dhe mesazhet e dhëna në publik nuk ka garantuar unitetin kombëtar, nuk ka moderuar konfliktin politik, por përkundrazi e ka nxitur atë në terma të tilla, të cilat sollën si pasojë daljen e organizuar të militantëve të partive politike në rrugë duke terrorizuar qytetarët, duke kufizuar lirinë e tyre të lëvizjes si dhe lirinë personale, deri në kryerjen e konflikteve me armë”.

Kreu i shtetit, Ilir Meta nuk është paraqitur në asnjë prej seancave, pavarësisht thirrjeve që iu bën nga Komisioni Hetimor dhe nga deputetët e PS-së.

Meta ka thënë se nuk do të njohë asnjë veprimtari të një kuvendi “njëpartiak” dhe se do të ushtrojë detyrën e tij deri më 24 korrik të vitit 2022.

Ndërkohë, teksa Kuvendi diskuton shkeljet e tij të Kushtetutës, Meta ka postuar në faqen e tij në Facebook një aktivitet kulturor me Ansamblin Folklorik të Dibrës teksa ky ansambël po vallëzonte vallen tradicionale.

Në rast të shkarkimit, presidenti Meta do të bëhet presidenti i parë i shkarkuar i Shqipërisë në epokën 30-vjeçare që kur Shqipëria rrëzoi komunizmin 50-vjeçar dhe i hapi rrugë tranzicionit demokratik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d bloggers like this: