fbpx

Presidenti Meta mund të rrëzojë ministrat e Ramës në shtator

Gjykata në vendimin e saj shprehet se Presidenti i Republikës në procesin e emërimit të një ministri, nuk ka rol ceremonial vetëm për betimin e tij, por ai ka rol verifikues, si një hallkë tjetër në këtë proces, përveç Kryeministrit dhe Kuvendit.

“Kushtetutëbërësit, duke e vendosur Presidentin ndërmjet dy institucioneve, Kryeministrit, nga njëra anë, si propozues dhe Kuvendit, nga ana tjetër, si përmbyllës i procesit, tregon se atij i është dhënë rol verifikues në këtë proces, me qëllim që të garantojë funksionimin korrekt të sistemit dhe mbrojtjen e interesave të përgjithshme të vendit, që të mënjanohet precedenti i pushtetit të drejtpërdrejtë të partive mbi Kuvendin dhe Presidentin”, thuhet në argumentet e Gjykatës.

Ky argument do të jetë një armë e fortë në duart e Presidentit të Republikës, kur Kryeministri Rama në shtator, do t’i çojë përbërjen e qeverisë së re të tij në mandatin e tretë qeverisës Me gjithë të drejtën e tij kushtetuese, zoti Meta mund të rrëzojë një ose disa ministra, pas verifikimeve që do t’i bëjë atyre dhe gjykata e argumenton fare qartë se përse nevojitet ky rol verifikues i Presidentit.

Kostitucionalistja e njohur Aurela Anastasi është shprehur se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për kompetencat e Presidentit dhe Kryeministrit në emërimin e ministrave do të ketë një rëndësi të madhe dhe për formimin e qeverisë së re.

“Gjykata kryen këtë interpretim me qëllim që në të ardhmen, organet kushtetuese që marrin pjesë në emërimin e ministrit, të interpretojnë Kushtetutën ashtu sikurse Gjykata e ka interpretuar atë. Kjo pjesë do të ketë shumë rëndësi edhe për formimin e qeverisë së re në shtatorin e këtij viti”, është shprehur për gazetën “Panorama” kostitucionalistja Aurela Anastasi ditën kur Gjykata Kushtetuese publikoi dispozitivin e vendimit për mosmarrëveshjet mes Presidentit dhe Kryeministrit për dekretimin e ministrave.

Për të shmangur këtë ngërç, Gjykata Kushtetuese u vjen në ndihmë institucioneve, kur thotë në vendimin e saj se “kur, për shkak të faktorëve politiko-shoqërorë, institucionet mbajnë qëndrime të ndryshme ndaj normave kushtetuese, duke krijuar situata konflikti, janë të detyruara të bashkëveprojnë me njëra-tjetrën, duke zbatuar parimin e luajalitetit kushtetues, i cili shndërrohet në element thelbësor dhe detyrues për rivendosjen e funksioneve reciproke të pushteteve ose organeve të pavarura”./Panorama

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d bloggers like this: