fbpx

Censura dhe shkrimtarët shqiptarë në diktaturë 

Lazër Stani
Është fakt i njohur tashmë se e gjithë letërsia shqipe e publikuar pas Luftës së Dytë Botërore deri në fund të vitit 1990, e njohur me termin zyrtar “Letërsi e Realizmit Socialist” është një letërsi misionare e shkruar në funksion të edukimit komunist të masave, krijimit të njeriut të ri, shpirtërisht të depersonalizuar dhe ideologjikisht të infektuar, ose të shprehur me termat e kohës “të brumosur me mësimet e Partisë dhe të shokut Enver”. Kjo letërsi e shkruar në kushtet e lirisë së munguar, rregullohej si të thuash me ligj, nëpërmjet metodës zyrtare të Realizmit Socialist, dhe çdo krijim artistik, para se të publikohej, i nënshtrohej një censure të rreptë, edhe pse zyrtarisht një fakt i tillë nuk është pranuar kurrë.
Në “Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe” të hartuar nga Akadamia e Shkencave, nga botimi i parë në vitin 1980 e deri në botimin e fundit në vitin 2006, por dhe në botimin online të këtij fjalori nga Shkenca.org, fjala censurë shpjegohet kështu:
CENSURË f.
Shqyrtim e kontroll i përmbajtjes së veprave të ndryshme para se të botohen a të shfaqen ose kontroll i letrave, i telegrameve etj. para se të dorëzohen, që bëhet (në vendet kapitaliste e revizioniste) nga një organ zyrtar ose nga një i ngarkuar; organi zyrtar që bën këtë punë. Censurë e rreptë. Censurë ushtarake. Censura fashiste. Vuri (vendosi) censurën. Hoqi censurën. I shpëtoi censurës. Merr pëlqimin (miratimin) e censurës. Kalon nga censura. Nuk e lejon censura.
Pra, sipas shpjegimit të këtij fjalori të hartuar nga akademikët në diktaturë, dhe të ripublikuar po nga akademikët në post-diktaturë, censura është një kontroll që ushtrohet ndaj veprave të ndryshme artistike në vendet borgjeze-revizioniste, por jo në një vend me “demokraci popullore”, siç ishte Shqipëria diktatoriale. Edhe pse ekzistenca e censurës nuk pranohej zyrtarisht, praktikisht censura sanksionohej me një manual rregullator, që quhej “metodë e Realizmit Socialist”, ku ishin të shprehura kushtet, të cilat dinakërisht quheshin parime, që një vepër letrare, apo çdo lloj produkti tjetër artistik, në pikturë, kinematografi e muzikë, të ishte i pranueshëm.
Censura e kamufluar
Pas Luftës së Dytë, që në hapat e parë të instalimit të diktaturës, Qeveria e re, u kujdes që të shtrinte kontrollin e saj mbi të gjithë institucionet e kulturës, gazetat dhe transmetimet në radio. Shtëpitë botuese ekzistuese u mbyllën të gjitha, gazetat dhe revistat gjithashtu. Revistat që kishin bërë emër në histori si “Hylli i Dritës”, apo “Përpjekja Shqiptare”, jo vetëm u ndaluan, por u hoqën nga qarkullimi të gjitha kopjet ekzistuese. Një komision letrar militant, i ngritur pranë Lidhjes së Shkrimtarëve të sapo krijuar, hartoi një listë të gjatë librash dhe autorë shqiptarë të paraluftës, të cilët ndaloheshin rreptësisht dhe veprat e tyre u hoqën nga qarkullimi. Në listën e të mallkuarve nga regjimi u përfshinë emrat më të njohur të kulturës shqiptare, autori i romanit të parë shqiptar Ndoc Nikaj, poeti më i madh shqiptar, At Gjergj Fishta, Faik Konica, Ernest Koliqi, At Anton Harapi, Musine Kokalari, Ali Asllani dhe pothuajse të gjithë autorët që përbënë elitën kulturore shqiptare të paraluftës. Shumë prej autorëve që ishin gjallë, i shpallën tradhtarë, armiq, kolaboracionistë, i arrestuan, i burgosën, i ekzekutuan. U ndaluan të gjithë librat e autorëve të huaj, të përkthyer paraluftës, me përjashtim të ndonjë përkthimi të klasikëve grekë dhe të klasicizmit europian.
Paralelisht, në këtë përzënie dhe ndëshkim të kulturës ekzistuese, u ngritën strukturat e reja botuese, të cilat ushtronin një kontroll të rreptë mbi gjithçka që botohej dhe lejohej të qarkullonte. U ngrit e vetmja shtëpi botuese me emrin e poetit rilindas, Naim Frashërit, nëpër filtrin e së cilës do të kalonin të gjitha botimet. Shtëpia botuese u strukturua me redaksi përkatësi, për poezinë, romanin, tregimin, letërsinë për fëmijë, dramën, dhe përkthimet. Të gjitha redaksitë përbëheshin nga shefi i redaksisë dhe redaktorët. Puna e tyre e vetme, ishte të lexonin dhe të vlerësonin krijimet në të gjitha gjinitë letrare dhe të lejonin botimet vetëm të atyre veprave që përputheshin me normat e shkruara të Realizmit Socialist, përshkoheshin nga partishmëria, fryma revolucionare, vija e partisë, porositë e udhëheqësit për letërsinë e artet.
Nën emrat e redaktorëve dhe të shefave të redaksive, fshiheshin emrat e vërtetë të censorëve dhe kryecensorëve. Në ndihmë të këtij aparati censurues, pajtoheshin edhe kritikë, shkrimtarë militantë, estetë, që quheshin recensentë dhe që jepnin mendim me shkrim për çdo vepër nëse duhej të botohej apo jo. Çdo vepër shqyrtohej nga dy ose tre recensentë dhe mendimi i tyre vuloste fatin e veprës. Dhe mbi të gjithë këtë aparat të kamufluar censurues, qëndronte një zyrë pranë Komitetit Qendror të Partisë, që quhej zyra e Shtypit dhe e Propogandës. Kjo zyrë mbikëqyrte punën e të gjitha redaksive botuese, përgjonte, hetonte dhe ndëshkonte ata redaktorë, apo shefa redaksish, që nga pakujdesia, paaftësia, ose neglizhenca, u shpëtonte ndonjë botim me gabime ideologjike.
Ndëshkimi, në këtë rast, nuk kufizohej vetëm me redaktorët censorë, por shtrihej dhe mbi autorët dhe veprat, të cilat ndaloheshin, hiqeshin nga qarkullimi dhe bëheshin karton, ndërsa autorët u nënshtroheshin masave disiplinore; në rastin më të mirë hiqeshin nga puna dhe dërgoheshin për edukim revolucionar në ndërmarrjet prodhuese, në ferma ose kooperativa, që të njiheshin më mirë me shpirtin revolucionar të klasës punëtore, të fshatarsisë kooperativiste, me sakrificat që bënin njerëzit e thjeshtë për ndërtimin e socializmit, ose në rastin më të keq, u ndalohej vepra, u hiqej e drejta e botimit, internoheshin nga kryeqyteti, po mund të përfundonin edhe në ndjekje penale.
Shkrimtari përballë censurës
Shkrimtari, pasi e përfundonte veprën e vet, vëllime me poezi, tregime, apo roman, e dorëzonte pranë redaksisë përkatëse në shtëpinë botuese. Ndërsa ai priste në ankth, përgjigjen nga redaksia, nëse libri i tij do të botohej ose jo, vepra e dorëzuar i nënshtrohej një procesi në dukje burokratik, por që në fakt, kishte të bënte me kalimin e saj nëpër filtrat e censurës. U jepej dy-tre recensuesve, të cilët e lexonin veprën me lupë, duke mbajtur shënime për gjithçka, që atyre u dukej jo në përputhje me vijën e partisë dhe me metodën e Realizmit Socialist. Të gjitha këto “të meta” ideoestetike, pasqyroheshin në formë konkluzionesh në fund të recensionit që përmbylleshin me frazat standard “mendoj të botohet”, “t’i kthehet autorit për ripunim” ose “të mos botohet”. Pasi recensionet ktheheshin në redaksi, redaktori përkatës, lexonte recensionet e porositura dhe në rast se libri do të botohej, e lexonte me vëmendje gërmë për gërmë, duke fshirë, fjali, paragrafë e kapituj të tërë, duke zëvendësuar e ndryshuar fjali, që ta sillte tekstin letrar në standardet e pranueshme, nga ai, censori. Në fund shkruante dhe një raport të shkurtër dhe ia paraqiste shefit të redaksisë, që ishte personi përgjegjës për botimin ose jo të librit. Provën e parë, rrallë ndonjë libër e kalonte. Në të shumtën e rasteve ktheheshin për ripunim, rishqyrtim, madje edhe kur kishim të bënim me autorë të njohur të letërsisë së Realizmit Socialist.
Për shembull, një vëllimi me poezi të rikthyer për ripunim, autorit i listoheshin poezitë që e kishin kaluar testin e censurës, i kërkohej të shtoheshin disa poezi për partinë, ku autori me përulësi të shprehte dashurinë e tij të pakufishme, poezi për atdheun, poezi për klasën punëtore dhe fshatarsinë, të pasqyronte më mirë vrullin revolucionar të masave dhe shndërrimet epokale nën udhëheqjen e partisë. Nëpërmjet ripunimit, libri duhej të çlirohej nga intelektualizmi borgjez, sentimentalizmat e sëmurë, ndikimet neofrojdiste, ekzistencialiste, apo ndonjë nuancë konservatore e bartur nga tradita negative e shoqërisë së përmbysur. Para se të dërgohej për ribotim, vepra tjetërsohej, shfytyrohej, kastrohej nga vetë autori. Ndonjë autor që refuzonte ta masakronte veprën e vet, i mbetej dorëshkrimi në sirtar, madje edhe listohej midis të dyshimtëve. Kështu që çdo vepër letrare e botuar në diktaturë, ishte një vepër e abuzuar, së pari nga vetë autori dhe së dyti nga gjithë ai aparat monstruoz i censurës. Dhe kur ndodhte që ndonjë gjë e papëlqyer dhe e papërputhshme me standardin zyrtar botohej, e priste syri vigjilent i kritikës, që e masakronte me ashpërsinë më të madhe.
Si shembull për të justifikuar masakrën e ripunimit të veprave përdorej romani “Garda e Re” e shkrimtarit sovjetik, Aleksandër Fadajev.
Aleksandër Fadejev, shkrimtar komunist, autor romanesh të famshme si “Shpartallimi” dhe “I fundmi i Udegëve” të botuar me sa di dhe në gjuhën shqipe, në vitin 1945 botoi romanin “Garda e re”, një roman që i kushtohej rezistencës antifashiste të një organizate komsomoli në vitet e luftës në qytetin ukrainas Krasnodon. Romani u kritikua ashpër pas botimit, sepse në roman nuk pasqyrohej roli udhëheqës i organizatës së partisë në Luftën e Madhe Patriotike, siç e kanë quajtur sovjetikët Luftën e Dytë Botërore. I ndodhur përballë presionesh të paimagjinueshme, shkrimtari e rishkroi romanin dhe e botoi në vitin 1951 tashmë “të përmirësuar”. Në të gjitha shkollat shqiptare mësohej ky shembull se si shkrimtari me ndihmën e partisë, mund të shpëtohej nga gabimet dhe të shkruajë një vepër të shëndoshë letrare.
Ama në shkolla nuk mësohej fakti se shkrimtari komunist, i fyer dhe i poshtëruar nga partia e tij, i dha fund jetës me vetëvrasje me 13 maj të vitit 1956 në Moskë.
Të njëjtit filtër i nënshtroheshin edhe librat e përkthyer, sidomos librat e përkthyer nga Letërsia Perëndimore. Ndërsa librat e letërsisë ruse të Realizmit Socialist botoheshin me shumicë, po edhe disa klasikë kryesisht francezë, si Balzaku, të cilin e kishte lavdëruar Engelsi në kohën e tij, librat e tjerë të përkthyer nga autorë perëndimorë, i nënshtroheshin një filtri të egër. Romanit “Zoti President” (El Señor Presidente) të Miguel Angel Asturias, i hoqën mbi tridhjetë faqe nga libri, që të mund të botohej në gjuhën shqipe. Këtij fati i janë nënshtruar pothuajse të gjithë librat, aq sa sot bëhet i dyshimtë leximi i këtyre librave, edhe pse përkthimet u bënë nga një plejadë përkthyesish të talentuar, shumica prej tyre të shkolluar në Perëndim.
Autocensura si varkë shpëtimi dhe suksesi
Të gjithë shkrimtarët shqiptarë, qofshin ata të shkolluar në Bashkimin Sovjetik, apo në vendet që përfshiheshin në Kampin Socialist, qofshin të shkolluar në Shqipëri e dinin se kushtetuta e shpallur e letërsisë dhe arteve ishte Metoda e Realizmit Socialist, me parime të ngurtësuara, të shkruara si nene, ku përcaktohej jo vetëm statusi i shkrimtarit, si “një armë e fuqishme për edukimin komunist të masave”, por edhe metodologjia se si shkruhej kjo letërsi, ku neni i parë ishte “Partishmëria proletare”. Nëse mungonte partishmëria proletare, libri që ti shkruaje nuk do ta shihte kurrë dritën e botimit dhe ti si autor do të thaheshe në hije, pa i gëzuar të mirat që buronin nga statusi i shkrimtarit si një punë e zgjedhur me rrogë të mirë, leje krijuese disa mujore, madje edhe daljen në profesion të lirë si shkrimtar, ku ti paguheshe me një pagë të mirë, vetëm për të shkruar vepra që do të shërbenin për edukimin komunist të masave dhe krijimin e njeriut të ri të partisë. Të gjithë shkrimtarët e Realizmit Socialist, pa përjashtim e pranuan këtë metodë diktuese, ndryshe as do të kishin botuar dhe as do të kishin ekzistuar si shkrimtarë të asaj kohe. Këtu nis edhe kalvari tjetërsues i dhunshëm i shkrimtarit në studion e tij krijuese. Në momentin që ulej për të shkruar në tryezën e tij të shkrimit, ai e dinte se çfarë është e lejuar dhe çfarë nuk është e lejuar, e dinte pak a shumë se çfarë temash duhej të zgjidhte, si duhej ta zhvillonte subjektin e si duhej ta mbyllte, kush ishin të mirët dhe kush ishin të këqinjtë, çfarë kumti duhej të përcillte nëpërmjet veprës së tij letrare. Nga të gjitha idetë dhe projektet letrare që mund t’i vinin në mend shkrimtarit, ai duhej të fokusohej te ajo që ishte e lejuar dhe e mirëpritur, duke u bërë guardian i vetvetes. Nëse shkrimtarit gjatë procesit krijues i errësohej mendja nga frymëzimi apo energjia e brendshme krijuese dhe i lejonte vetes, vargje, fraza, vjersha apo tregime që devijonin nga metoda zyrtare, atëherë këta i priste masakra e recensentëve dhe censorëve, kritikëve letrarë dhe funskionarëve partiakë që të bënin gjëmën. Për të shmangur presionin e kësaj autocensure, disa shkrimtarë zgjodhën tema historike, por dhe historia duhej interpretuar sipas teorisë markiste-leniniste dhe mësimeve të udhëheqësit që kishte deklaruar se “Populli shqiptar e ka çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë”.
As që bëhej fjalë të shkruhej një roman për marrëzitë historike të shqiptarëve, si për shembull, pjesëmarrja e tyre në betejën e Çanakale-së e njohur si “Battle of Çanakkale” ku u vranë duke luftuar përkrah turqve më shumë se njëzet e pesë mijë ushtarë shqiptarë, ndërkohë që trojet shqiptare digjeshin e priteshin nga ushtritë shoviniste të vendeve fqinj.
Shkrimtarët si censorë të njëri-tjetrit
Nuk më shqitet kurrë nga mendja një amanet i Dostojevskit, i shkruar në një nga shënimet e tij: “Kur të vdes mos më varrosni në varrezën Volkov, në parcelën e shkrimtarëve. Nuk dua të jem midis armiqve edhe i vdekur.” Duke e njohur mirë këtë dobësi të shkrimtarëve, ambiciet, zilitë, cmirën e ligësinë për njëri-tjetrin, diktatura i kundërvinte, i nxiste të sulmonin njëri-tjetrin me një egërsi primitive. Në jo pak raste, të frymëzuar edhe nga kulisat e Sigurimit të Shtetit, ata i bënin gjëmën kolegut për librin e botuar në konferencat e Lidhjes së Shkrimtarëve. Ndërkaq që shumë prej shkrimtarëve bënin edhe punën e censorit të drejtpërdrejtë, duke shkruar recensione për librat e kolegëve në proces botimi, ose shkrime kritike në shtypin letrar të Lidhjes, herë të porositur nga lart e herë të nxitur nga cmira, zilia. Ushtria e mediokrëve e vënë në shërbim të partisë, ishte e gatshme të shqyente copë e grimë çdo talent, jo thjeshtë për devijime ideologjike, por edhe se ndjeheshin të kërcënuar në statusin e tyre të priviligjeuar.
Ekperienca personale
Edhe sot e kësaj dite e kujtoj me emocion botimin e tregimit tim të parë, në gazetën “Zëri i rinisë”, në verën e vitit 1988. Tregimi titullohej “Mara nuk është e qartë”, dhe u botua, siç e kisha shkruar pa asnjë censurë. Bënte fjalë për një vajzë, që flinte nga dhjetë orë gjumë dhe nuk shihte kurrë asnjë ëndërr. Ishte e dashuruar me një nga kolegët, një djalë rreth të njëzet e pestave. Por ai gjithë kohën i shmangej, shtirej sikur nuk e kuptonte. Në fund të tregimit, kur një nga gratë e institucionit, e pyeti djalin se përse nuk lidhej me vajzën, që jo vetëm ishte e bukur, por kishte edhe gjithë ato cilësi të mira, ai iu përgjigj:
“Nuk mund të martohem me një vajzë që fle nga dhjetë orë gjumë dhe nuk sheh kurrë asnjë ëndërr.”
Kështu mbyllej tregimi, që në fakt pati jehonë në qarqet letrare. Aq më tepër që diçka e tillë nuk pritej nga një emër krejt i panjohur në letërsi. Në ditët e para gëzimi që më solli botimi i këtij tregimi ishte i jashtëzakonshëm. Megjithatë gëzimi nuk zgjati shumë. Brenda disa ditëve ai u zbeh dhe vendin e gëzimit e zuri trishtimi. Brenda tregimit ndihej prania e Çehovit, një shkrimtar që e doja shumë në atë kohë dhe nuk kisha lënë gjë pa lexuar nga vepra e tij dymbëdhjetë vëllimshe në gjuhën origjinale. E, vendosa me veten, që nuk do të botoja më asnjë tregim, nëse nuk do të arrija ta çliroja prozën time nga hija e të mëdhenjve, që kisha lexuar dhe i doja si shkrimtarë. Në letërsi duhej të isha vetvetja, ndryshe ç’kuptim do të kishte të shkruaja. E ndëshkova këtë tregim, duke mos e përfshirë në asnjë nga librat e mi.
Disa javë më vonë, ndoshta pas një muaji a dy, më merr në telefon Vito Koçi, në atë kohë redaktor i prozës në gazetën letrare “Drita”, botim i Lidhjes së Shkrimtarëve. Më porositi t’i dërgoja një tregim timin që ta botonte në gazetën ku pononte, pasi sipas tij tregimi që kisha botuar ishte i mrekullueshëm. Pa u menduar i thashë po. Shfletova tregimet e mi, që i mbaja në një dosje, dhe zgjodha “Fundi i shëtitjeve natën”, një tregim që gjithsesi, m’u duk më i pranueshëm për botim, duke patur parasysh censurën e atëhershme. Ia dërgova Vitos në redaksi. Pas dy ditësh Vito më merr në telefon dhe më thotë se donte të pinte një kafe me mua. Shkova të nesërmen në orën dhjetë siç e kishim lënë dhe u ulëm të dy bashkë në kafenenë e Lidhjes. Me vete kishte marrë dhe dorëshkrimin e tregimit. E pashë se ndihej ngushtë përballë meje. Duart i dridheshin ndërsa ngrinte te buzët filxhanin e kafesë.
“Shiko, më tha më në fund. Tregimi është shumë i bukur, por nuk mund ta botojmë me atë mbyllje që i ke bërë ti. Bëhet fjalë për dy tri fjalitë e fundit. Nëse i ndryshon, ose i ndryshojmë tani bashkë, unë tregimin do ta botoj të dielën. Nuk dëmtohet tregimi, se ai në të gjitha faqet e jep dramën e njeriut të ndershëm në këtë shoqëri. Por mbyllja duhet ndryshuar, siç të thashë. Ti e di se në shoqërinë tonë, nuk fiton kurrë e keqja, fiton e mira. Të paktën në letërsi nuk mund të shkruhet ndryshe.”
E pashë Viton në sy. Ato çaste, ndihej i pikëlluar, i pafuqishëm, sikur sapo kishte bërë një punë që e turpëronte. Pasi u mendova një grimëherë i thashë Vitos:
“Ta provojmë mos i ndryshojmë ato dy tri fjali të fundit.”
Vito më zgjati tregimin, duke e larguar vështrimin prej meje. Gjeta fletën e fundit të tregimit të daktilografuar dhe pashë se ai kishte shënuar me të kuqe tri fjalitë e fundit, fjalitë përmbyllëse.
“Kur të ngjitemi lart në zyrën tënde po provoj t’i rishkruaj ato tri fjali siç më thua ti,” i thashë.
U ngjitëm të dy lart dhe brenda pesë minutash i rishkrova tri fjalitë që më kërkonte Vito. Të shkruaje brenda skemës ishte gjëja më e thjeshtë.
Vito e mori tregimin, lexoi fjalitë e ndryshuara dhe më tha përhumbshëm:
“Po, tani tregimi do të botohet në numrin e të dielës.”
Tregimi u botua dhe, pavarësisht mbylljes së imponuar, pati një pritje shumë të mirë nga lexuesit dhe shkrimtarët.
Verën tjetër bëra një provë të tretë, të botoja një tregim në gazetën ku punoja në atë kohë. Bëhet fjalë për tregimin “Njeriu i Dosjes”. E kam treguar edhe herë të tjera historinë e botimit të këtij tregimi dhe nuk po zgjatem. Por për shkak të censurës, në mirëkuptim me kryeredaktorin e botuam nën siglën “Tregim Satirik”, kur në fakt ishte nga tregimet më seriozë që kisha shkruar deri atëherë. Botimi i tregimit pati shumë jehonë, por nuk vonoi të vinte edhe kërcënimi. Një anëtare e byrosë politike kishte marrë në telefon shefin tim dhe i kishte thënë: “Ku e keni gjetur këtë Lazër Stanin? Do t’ia tregojmë ne mirë dosjet atij” dhe kishte mbyllur me arrogancë telefonin. E dija se ajo ishte një injorante e lindur, nuk merrte vesh nga letërsia, por dikush, ndonjë keqbërës, me siguri kishte hartuar ndonjë raport denoncues që kishte mbërritur deri në zyrat e Byrosë Politike.
Një miku im gazetar shumë më i vjetër se unë, më fton një ditë për kafe dhe më thotë me zë të ulët, sikur kishte frikë se mos e përgjonin:
“Mos boto më tregime njëherë për një herë. Leri të ftohen pak ujërat. Këta që të lavdërojnë sot, nesër kur të dënohesh ti, të gjithë do të jenë kundër teje. Do të të mohojnë dhe sulmojnë.”
Unë nuk ia vura veshin porosisë dashamirëse të mikut. Bëra pikërisht të kundërtën. Përgatita një vëllim me tregime dhe e dërgova në shtëpinë botuese “Naim Frashëri’. Ia dorëzova shefit të redaksisë, Sami Çabej, për të cilin edhe sot e kësaj dite ruaj një respekt të veçantë dhe ende nuk e kuptoj se si ai njeri i ditur dhe me shpirt aq të mirë, ka mundur të bëjë punën e kryecensorit të tregimit për shumë vite në shtëpinë botuese. Më priti shumë mirë dhe më tha se do të fillonte menjëherë procedurat e botimit.
Unë prita më shumë se tre muaj, por asnjë përgjigje nuk po më vinte nga Shtëpia Botuese. Më në fund, një ditë Samiu më mori në telefon dhe më tha të shkoja ta takoja. Të nesërmen shkova dhe e takova në zyrë. Samiu më zgjati dosjen me librin tim dhe tha:
“Merre librin. Të kam vënë në dosje dhe tre recensionet që janë bërë për të. Lexoji dhe grisi. Unë, nëse m’i kërkojnë, do të them se më kanë humbur në redaksi, ndoshta pastruesja padashur i ka hedhur në plehëra. Përndryshe do të më duhej të të denoncoja.”
Mora librin dhe ika. Mezi po prisja të lexoja recensionet. Vetëm Piro Misha, në atë kohë përkthyes dhe shef në redaksinë e përkthimeve, kishte vlerësuar pozitivisht librin me fjalët më të mira. Dy recensentët e tjerë shkrimtarë e kishin groposur. Njëri prej tyre (për etikë nuk po ia përmend emrin) kishte renditur në recensionin e tij të gjitha sharjet që diktatori kishte bërë gjatë shumë viteve në fjalimet e tij kundër letërsisë borgjeze revizioniste. Më shumë se recension, teksti i shkruar prej tij i ngjante një akt-akuze të shkruar nga ndonjë prokuror. Edhe shkrimtari tjetër, ndonëse me gjuhë më të moderuar, prapë nuk më kishte lënë gjë mangut në kritikat e tij për modernizëm, hermetizëm, pesimizëm, tendencë për të nxirë realitetin e ku di unë çfarë tjetër.
Përpjekja ime e parë për të botuar një libër në kushtet e censurës, jo vetëm që dështoi, por rezultoi edhe një test i rrezikshëm, nga i cili më kishte shpëtuar vetëm zemërbardhësia e Sami Çabejit.
Libri im i parë u botua vetëm katër vite më vonë, pasi diktatura ishte përmbysur.
Godina, ku u vendos Lidhja e Shkrimtareve pas Luftes se Dyte Botërore
Trauma e censurës në post-diktaturë
Shqiptarët dolën nga diktatura, jo vetëm si një popull i mjeruar, por edhe si një popull i traumatizuar, i dhunuar keqas psikologjikisht dhe shpirtërisht. Vlerat themelore që e bëjnë qenien njerëzore njeri, ishin bjerrur në vitet e gjata të sundimit diktatorial, shpirti ishte varfëruar, mendja skematizuar. Në këtë gjendje traumatike, të paorientuar dhe të përhumbur u gjendën edhe shkrimtarët, ditën që u çliruan nga prangat e llahtarshme të censurës. Si mund të shkruhej ndryshe, pa metodën këshilluese dhe orientuese të Realizmit Socialist, çdo të bëhej me veprat e tyre të botuara, çfarë e ardhmeje i priste? Këto ishin pyetjet që mundonin shumë prej shkrimtarëve të Realizmit Socialist. Këto frikëra dhe pasiguri, disa shkrimtarë i bënë të thyenin penat e tyre, të tjerë më ambiciozë dhe të molepsur me ndjenjën e fajit iu vërsulën njëri-tjetrit, duke e akuzuar shoqi-shoqin për një mijë e një të zeza. Mëqenëse shkrimtarët janë njerëz publikë dhe akuzat e tyre botoheshin në media, u krijua ideja e pavërtetë se shkrimtarët ishin arkitektët e instalimit të diktaturës në Shqipëri. Si “inxhinierë të shpirtrave” siç cilësoheshin në diktaturë, jo se shkrimtarët janë pa përgjegjësi, jo se ata nuk kanë faje për atë çka ndodhi gjatë dyzet e pesë viteve. Por diktatura, nuk ishte vepër e tyre.
Përgjegjësia dhe faji i tyre, nuk mund të krahasohet me veprën kriminale të udhëheqësve politikë të diktaturës dhe të superstrukturës së saj shtypëse të përbërë nga policia sekrete, hetuesit, prokurorët, gjykatësit. Jo se nuk ka patur monstra midis tyre, spiunë, denoncues të rëndomtë, keqbërës. Edhe shkrimtarët janë njerëz, si gjithë të tjerët, nuk janë të imunizuar nga dobësitë njerëzore.
Përballja me sfidën e lirisë në vetvete ishte tramatizuase pothuajse për të gjithë shkrimtarët e Realizmit Socialist. Vetëm pak prej tyre ia kanë dalë të shkruajnë ndonjë libër të suksesshëm, duke reflektuar një thyerje në krijimtarinë e vet. Shumica u pajtuan me fatin e tyre të keq, duke ruajtur me nostalgji “kohën e artë” të Realizmit Socialist, që perëndoi për të mos rilindur më kurrë.
Teksti është botuar në librin “Shteti dhe shoqëria në Shqipërinë komuniste 1945 – 1990”, botim i Institutit të Studimeve Politike

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d bloggers like this: