fbpx

Sot, votimi i diasporës dhe Presidentit. Bejta i Vushtrisë përballë Osmanit

Lëvizja Vetëvendosje ka thirrur sot një senacë të jashtëzakonshme të parlamentit për të provuar hapjen e votimit të Vjosa Osmanit, si presidente e ardhshme e Kosovës. Preteksti i kësaj seance është miratimi i ndryshimeve në ligjin e zgjedhjeve që e lejojnë diasporën të votojë ne ambasada dhe konsullata.

Shefja e GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, në një konferencë për media ka thënë se së pari është thirrur seanca e jashtëzakonshme për amandamentimin e Ligjit për Zgjedhje, e nëse ka vullnet të deputetëve për të qëndruar në sallë atëherë do të caktohet edhe ajo për presidentin.

“Kryesia e Kuvendit do të trajtojë amandamentin për Ligjin për Zgjedhjet në mbledhjen e radhës. Ne kemi kërkuar që seancën e parë të jashtëzakonshme ta kemi sot, me pikën e vetme për amendmentin e Ligjit për Zgjedhje. Nga procesi I fundit zgjedhor kemi parë një mobilizim të madh të mërgatës por ai vullnet nuk është përkthyer në futjen e rezultatit përfundimtar zgjedhor. Ne kemi dhënë premtimin kryesor që Ligji i Zgjedhjeve do të ketë prioritet që do të prek këtë pjesë. Kandidatja e parë për presidente është Vjosa Osmani dhe kandidati i dytë është Nasuf Bejta dy kërkesat janë protokoluar pranë sekretarisë së Kuvendit”, ka thënë Kusari-Lila.

Ajo tha se nëse ka vullnet të deputetëve që sot të jenë në sallë pas seancës së jashtëzakonshme që do të mbahet për amandamentimin e Ligjit për Zgjedhjet atëherë do të caktohet edhe sanca e jashtëzakonshme për presidentin. “Nëse kjo përfundon brenda pak orëve, ne do të caktojmë menjëherë edhe seancën e radhës për votimin e presidentit të Kosovës”, tha ajo.

Nasuf Bejta, kandidati për President 

Nasuf Bejta pritet të jetë kundërkandidat i Vjosa Osmanit në garën për president të Kosovës.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Bejta garoi në listën e Lëvizjes Vetëvendosje me numër 64 dhe ishte përfaqësues i Iniciativës së Vjosa Osmanit në listë.

Nasuf Bejta u lind më 03 nëntor 1960 në fshatin Smrekonicë të Vushtrrisë.

Shkollën fillore e kreu në Smrekonicë, ndërsa të mesmen në Gjimnazin “Muharrem Bekteshi” në Vushtrri. Studimet universitare i kreu në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës. Është inxhinier i diplomuar me përvojë 32 vjeçare në arsim, dhe aktualisht punon si mësimdhënës në SH.M.T. “Lutfi Musiqi” në Vushtrri.

Opozita paralajmëron bojkotin e seancës

Një pjesë e opozitës ka kundërshtuar thirrjen e kësaj seance të jashtëzakonshme. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza braktisi mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit. Ai deklaroi se nuk pajtohet me nxitimin e LVV-së për miratimin e një ligji kaq të rëndësishëm sikurse është rregullimi i të drejtës së diasporës për të votuar në vendet ku jetojnë

Edhe Nisma Socialdemokrate ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës, për amandementimin e Ligjit për Zgjedhje, duke e quajtur si një tendencë për të kapur në tërësi shtetin.

Përmes një komunikate për media Nisma Socialdemokrate vlerëson se amandementimi i Ligjit për Zgjedhje pa konsesus mes të gjitha partive politike pozitë dhe opozitë dëshmon që Vetëvendosje nuk e ka prioritet as pandeminë, as demokracinë dhe as zhvillimin ekonomik të vendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d bloggers like this: