fbpx

Lugina e Preshevës kërkon pjesëmarrje në bisedimet Kosovë-Serbi

Përfaqësuesit e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, komuna në jug të Serbisë, që ndryshe njihen edhe si Lugina e Preshevës, thonë se është e pakuptimtë që të bisedohet me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve, pa përfshirjen e Luginës së Preshevës.

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, thotë për Radion Evropa e Lirë se është e nevojshme prania e tyre në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.

“Çështja e Luginës së Preshevës duhet të jetë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi, edhe si temë edhe përmes pranisë fizike të të zgjedhurve të Luginës. Është e rrezikshme ideja që të vendoset fati i Luginës pa përfshirjen dhe pa vullnetin e qytetarëve të Luginës”, thotë Sinani.

Sinani i bëri këto komente duke i referuar raportimeve të mëhershme se Kosova dhe Serbia mund të bien dakord për gjetjen e një zgjidhjeje ku përfshihet shkëmbimi i territoreve, me ç’rast Kosova do t’i jepte Serbisë një pjesë të veriut të banuar me shumicë serbe, dhe do të merrte Luginën e Preshevës që është e banuar me shumicë shqiptare.

Sinani thotë se kërkesë e përhershme e tyre mbetet bashkimi me Kosovën.

“Nëse flitet për ndryshimin, korrigjimin e kufijve, atëherë Lugina e Preshevës duhet të bashkëngjitet si e tërë me Republikën e Kosovës. Kjo ka qenë kërkesë e shqiptarëve të Luginës së Preshevës qysh në referendumin e vitit 1992”, thotë Sinani.

Ajo thotë se që të mos ndodhin zgjidhje të njëanshme që thellojnë krizën dhe konfliktin, duhet të përfshihet Lugina e Preshevës në dialogun në Bruksel.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafi, thotë se paqja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, arrihet përmes Luginës së Preshevës.

Mustafi thotë për Radion Evropa e Lirë se i kanë bërë kërkesë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që çështja e Luginës së Preshevës të trajtohet në kuadër të dialogut.

“Kjo për faktin se nuk mund të jetë dialogu i njëanshëm, ku mund të hapen temat për çështjet e rregullimit të brendshëm të Republikës së Kosovës dhe mos të hapen temat e rregullimit të brendshëm të Serbisë. Kjo nënkupton që do të duhej të hapet edhe çështja e statusit juridiko-politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, thotë Mustafi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d bloggers like this: