PANALBANIAN

Lajmet shqip nga Finlanda

Kurti merr detyrën. Ambasadori Amerikan takon Abdixhikun

, ,

Me një ceremoni shtetërore, Avdullah Hoti i dorëzoi sot detyrën kryeministrit të ri të Kosovës, Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje. Dje, Qeveria e Albin Kurtit, e formuar me partitë e komuniteteve joserbe, mori besimin e 67 deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Qeveria e tij ka tre zëvendëskryeministra dhe 15 ministri, pesë prej të cilave do të udhëhiqen nga gra.

Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se sfida kryesore e qeverisë së tij do të jetë vënia nën kontroll e pandemisë së koronavirusit. Ai ka thënë se synon që brenda vitit të sigurojë vaksina të mjaftueshme për të imunizuar 60 për qind të popullatës kundër COVID-19.

Kurti po mban postin e kryeministrit për herë të dytë, pasi në shkurtin e vitit të kaluar u rrëzua nga Lidhja Demokratike e Kosovës, partnerja e atëhershme e koalicionit. Por, Gjykata Kushtetuese fundvitin e kaluar tha se Qeveria pasuese e Avdullah Hotit ishte jolegjitime, pasi për të kishte votuar një deputet, që kishte qenë i dënuar me vendim të formës së prerë në tre vjetët e fundit.

Institucionet e reja të Kosovës, kuvendi dhe qeveria e re, u formuan më 22 mars, 37 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve. Sfida e radhës për partinë e Kurtit është që të zgjedhë edhe presidentin e ri të vendit. Për këtë post, kjo parti ka nominuar Vjosa Osmanin.

Por, Osmani nuk po përkrahet nga partitë opozitare Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ndërkaq, ish-partia e saj, Lidhja Demokratike e Kosovës, ende nuk e ka bërë të qartë nëse do ta votojë ose jo Osmanin për një mandat pesëvjeçar në krye të shtetit. Të premten e shkuar ata u takuan për qeverinë e Kurtit dhe thirrjen e parlamentit. Megjithëse, u paralajmërua një takim për këtë javë. Të dyja kampet nuk kanë thënë ende asgjë se kur do të zhvillohet takimi mes Osmanit dhe Abdixhikut për të garantuar procesin e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës. Ndërkaq, kryetari i ri i LDK-së është takuar sot me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, por nuk janë dhënë detaje për bisedat mes tyre.

Që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi dha dorëheqje nga kjo pozitë pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Deri më 22 mars, këtë post e ushtroi Osmani dhe pas zgjedhjes në krye të kuvendit, Glauk Konjufca mori edhe detyrën e ushtrimit të postit të presidentit.

About Post Author


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *