fbpx

Kurti: Kosova do të padisë Serbinë për genocid

Një ditë para se të udhëtojë për në Bruksel për të marrë pjesë në darkën tradicionale të shtruar nga përfaqësuesi i lartë i BE-së Borell për gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor, kryeministri i Kosovës Albin Kurti gjatë prezantimit të programit qeveritar, paralajmëroi padi ndaj Serbisë në GJND për krimet në Kosovë.

“Për drejtësinë e vonuar ndaj krimeve të Serbisë në Kosovë gjatë vitit 1998-1999 më në fund do të themelojmë Institutin për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe do të ngrisim padi për gjenocidin e Serbisë në Kosovë në GJND”, deklaroi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku i cili u pajtua me synimin për të ngritur padi kundër Serbisë, tha se kjo çështje nuk duhet të përdoret politikisht. “Përgatitja për padi kapërcen kapacitetet e një Qeverie sepse parasegjithash një padi e tillë e përfaqëson një popull të tërë. Si e tillë ajo duhet të përgatitet mirë, aq mirë sa të mos dështojë sepse dështimi më pas është njollë për të ardhmen dhe përbuzje e pafalshme për viktimat e gjithë të shkuarën “, tha Lumir Abdixhiku, Kryetar i LDK-së.

Kurti nga ana tjetër tha se zgjidhja e çështjeve të hapura me Serbinë duhet të bëhet përmes dialogut parimor por vetëm si palë e barabartë.

Kosova e pranon dialogun me Serbinë si palë e barabartë për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura sikurse zbardhja e fatit të personave të pagjetur, të zhdukur me dhunë, borxhet dhe dëmet e luftës reperacionet dhe suksesionet. Kosova nuk pranon dhe nuk do të marrë pjesë në një asnjë tryezë ku trajtohet si temë e dialogut dhe jo si palë – u shpreh Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Kurti tha se programi i Qeverisë synon të fokusohet në dy prioritete më urgjente: menaxhimin e pandemisë dhe lehtësimin e pasojave ekonomike dhe sociale të shkaktuara nga pandemia, të cilat kërkojnë mobilizimin e potencialit shtetëror. Partitë opozitare kanë kritikuar planin e Qeverisë i cili sipas tyre nuk ka plan veprimi, është sipërfaqësor, jopërmbajtësore dhe nuk ka referencë të mbulueshmërisë financiare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d bloggers like this: