Zbardhet krimi i rëndë në Vantaa. Djali vrau prindërit e tij pensionistë

Një çift pensionistësh, që dyshohet se u vranë nga djali i tyre i rritur, vdiqën në mënyrë tragjike. Fqinjët e njihnin mirë çiftin e vrarë, pasi ata jetonin në të njëjtën shtëpi që në vitet ’80. Ilta Sanomat intervistoi pesë persona që jetonin në lagje. Ata treguan historinë se si çifti ishte kujdesur për djalin e tyre të sëmurë mendor në shtëpi për vite me radhë.

– Ata kishin tentuar të gjenin një vend përkujdesje për djalin, por nuk ia dolën. Herë pas here, ai ishte diku për t’u kuruar për një kohë të shkurtër, por gjithmonë kthehej, thotë një fqinj.

Djali, i dyshuar për vrasje, ka lindur në vitin 1984 dhe jetonte me prindërit e tij. Sëmundja mendore e djalit ka qenë e njohur në lagje.

Ulërimat e djalit të sëmurë ishin të njohura për fqinjët e intervistuar nga IS. Sipas tyre, djali nganjëherë ishte i gëzuar dhe përshëndeste mirë, por shpeshherë edhe sillej në mënyrë agresive. Herë pas here, ai bërtiste me zë të lartë në shtëpinë e tij, saqë zëri i tij dëgjohej në të gjithë lagjen.

Fqinjët thonë se kjo mund të ishte shmangur, nëse djalit të sëmurë rëndë do t’i jepej akomodim dhe një trajtim i specializuar në një institucion për të sëmurët mendorë.

– Sot të gjithë trajtohen jashtë spitalit.

Vdekja e papritur e çiftit të njohur mirë prej tyre i bën fqinjët të heshtin.

– Ata kishin qenë gjithsesi të fortë.

Pas zbulimit të tragjedisë në shtëpinë e çiftit të pensionistëve, në zonën përreth pati një operacion të madh policor, ndërsa gjashtë deri në tetë makina policie ishin të pranishme të dielën. Përveç makinave të zakonshme, sipas dëshmitarëve okularë kishte edhe një fuoristradë të blinduar të policisë.

Sipas një burimi, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes me veturën e prindërve të vrarë. Policia nuk ka konfirmuar ende se në cilën ditë dyshohet se kanë ndodhur vdekjet gjatë fundjavës.

Ikja e të dyshuarit me makinë natën e së dielës përfundoi në një aksident diku tjetër në Vantaa, rreth 250 metra nga shtëpia.

Makina doli nga një kthesë e fortë. Përplasja ka qenë aq e rëndë sa kangjellat e rrugës janë shtrembëruar.

– Ai ishte larguar nga rruga me makinë dhe aty ishte një burrë që e pa ngjarjen dhe e denoncoi në polici. I dyshuari ishte fshehur në pyll për disa kohë. Policia e takoi atë, ndërsa ecte në drejtim të patrullës, hetuesi Tero Tyynelä e përshkroi arrestimin për Ilta-Sanomat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d bloggers like this: