fbpx

THL: Një e treta në kujdesin intensiv janë nën 40 vjeç

Instituti Finlandez për Shëndet dhe Mirëqenie (THL) ka raportuar 758 raste të reja të koronavirusit të konfirmuara nga laboratorët gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarëve që nga fillimi i pandemisë në pak më shumë se 60 mijë persona ose saktësisht në 60200. Numri më i lartë i rasteve të reja, 517, u regjistruan në Qarkun e Spitalit Universitar të Helsinkit (HUS), nga të cilat 244 u diagnostikuan në Helsinki, 102 në Vantaa dhe 81 në Espoo. Distrikti Spitalor i Finlandës Jugperëndimore kishte numrin tjetër më të lartë të infeksioneve, me 87 raste të konfirmuara nga laboratori.

Janë regjistruar 764 vdekje që i atribuohen koronavirusit, pasi edhe pesë qytetarë të tjerë humbën jetën. Ndërkohë zyrtarisht janë vaksinuar 425,545 persona (7.7% e popullsisë).

Rritja e fundit e infeksioneve të koronavirusit po vë në tendosje të shtuar shërbimet e kujdesit shëndetësor, me nevojën që pacientët të trajtohen në njësitë e kujdesit intensiv. Veçanërisht kjo është e dukshme në Rrethin e Spitalit Universitar të Helsinkit (HUS).

Finlanda ka raportuar gjithsej 7,400 raste koronavirusesh të konfirmuara nga laboratori gjatë dy javëve të fundit, që është 2,300 më shumë infeksione sesa në periudhën e dy javëve të mëparshme.

Duke folur në konferencën për shtyp të përjavshme të koronavirusit të Enjten në mëngjes, Kryemjeku i THL Taneli Puumalainen tha se epidemia “është përkeqësuar me shpejtësi” në Finlandë. “Kjo pasqyrohet fuqimisht nga nevoja e shtuar për kujdes spitalor,” tha Puumalainen. Që nga e enjtja në mëngjes, ka 258 pacientë që po trajtohen në spital për virusin: 115 në pavijonet e kujdesit parësor, 106 në kujdesin specialist dhe 37 në njësitë e kujdesit intensiv.

Numri i të rinjve që trajtohen për koronavirus në njësitë e kujdesit intensiv (ICU) në Qarkun Spitalor Universitar të Helsinkit (HUS) ishte në një rekord të lartë javën e kaluar, sipas zyrtarëve. Një e treta e pacientëve me koronavirus në ICU ishin nën 40 vjeç, duke përfshirë disa njerëz nën moshën 30 vjeç të cilët nuk kishin probleme të njohura shëndetësore ose sëmundje afatgjata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d bloggers like this: