PANALBANIAN

Lajmet shqip nga Finlanda

Silvana Berki kandidon në Tampere: Votoni Nr.160

, ,

Silvana Berki (Begotaraj) është nga Shqipëria, por ka emigruar në Finlandë në fillim të viteve 90 dhe jeton me familjen e saj në qytetin e Tamperes. Në fillimet e emigrimit të saj Silvana ka punuar si përkthyese e gjuhëve shqip-finlandisht-anglisht, si edhe kryetare në shoqatën e shqiptarëve të Tamperes.

Silvana ka kryer studime në fushën e shërbimeve sociale dhe ka marrë titullin Master në Shkencat Sociale në Universitetin e Laplandit. Prej vitit 2004 ka punuar në shërbimet sociale të qytetit të Tamperes. Aktualisht është në departamentin e mbrojtjeve të familjeve me fëmijë, si punonjëse sociale në Valkeakoski.

Përveç aktivitetit të saj social Silvana ka dhënë kontribut edhe në fushën letrare, ku krahas librave të saj në poezi, prozë dhe aforizma, një vend të veçantë zënë dy librat antologjikë poetikë, me anë të të cilëve Silvana ka ndërtuar shinat e para për të njohur poetikën në mes të dy kulturave. Në vitin 2016 ajo solli në Shqipëri antologjinë e poezisë Finlandeze në bashëpunim me kritikun e pozisë Erki Kiviniemi dhe në 2019 ajo solli në Finlandë poezinë e trevave ku jetojnë shqiptarët; Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi dhe Sicili/Itali (arbëreshët). Silvana është anëtare e shoqates së shkrimtarëve të qytetit të Tamperes Pirkalaiskirjailat ry dhe përkthyese zyrtare e institucionit të përkthimeve FILI. Një informacion të plotë rreth krijimtarisë, botimeve dhe angazhimeve të tjera të zonjës Berki mund ta gjeni tek adresa http://www.silvanaberki.com/kirjat/.

Në intervistën e mëposhtme që zonja Berki dha për Panalbanian.com njihemi rreth vizionit që ajo ka për politikën në Finlandë, pritshmëritë e saj dhe se si mendon ajo ta përdorë mandatin e këshilltares për të zgjidhur më mirë nevojat e emigrantëve, e sigurisht të kontribuojë për komunitetin shqiptar në Tampere.

1) Pse vendose të kandidosh për këshilltare nga radhet e PSD?

Partia Social Demokrate ndan të njëjtin vizion dhe këndvështrim, të cilin e kam edhe unë. Bindjet e mia për politikat sociale dhe mbështetjen e tyre nuk janë rastësi, por formuar gradualisht jo vetëm nga studimet e mia rreth shencave sociale por edhe nga eksperienca. Në qendër te politikës sociale është padyshim mirëqënia shoqërore. Mbarëvajtja dhe zhvillimi i vazhdueshëm i shërbimeve publike komunale është i rëndësishëm për të parandaluar përkeqësimin e standarteve të grupeve shoqërore të brishta, sikurse janë të moshuarit, fëmjët me nevoja speciale, familjet me fëmjë, si edhe të papunët. Pa këto shërbime të këtij niveli siç i ka Finlanda, nëpër rrugët e qyteteve do te shihnim më shumë të papunë dhe lypësa. Mendoj se nëse arrij të futem në Këshillin e qytetit, do te kem më mundësi për të ndryshuar diçka rreth këtyre grupeve, duke angazhuar në shërbimet sociale sa më shumë emigrantë.

2) A mendon se një emigrant në këshillin e qytetit ka aq shumë hapësirë për të ndryshuar gjëra në favor të komunitetit?

Po të mos kisha besim në vlerat shoqërore finlandeze as nuk do t’a merrja mundimin për të konkuruar në zgjedhje. Finlanda njihet si vendi i të drejtave të njeriut dhe këto vlera jo vetëm i besoj që zbatohen por edhe i kam përjetuar për 30 vite. Në qendër të këtyre vlerave është barazia shoqërore, ndaj kam besim të plotë që do të kem hapësirën e duhur për të ndryshuar diçka.

3) Çfarë ka nevojë më shumë komuniteti shqiptar në Tampere dhe si mendon ta zgjidhësh?

Personalisht i përkas dy sferave; të asaj sociale dhe kulturore, bazuar kjo në praktikën time profesionale dhe kjo më jep më tepër mundësi të përcaktoj saktë problemin. Unë nuk jam ne këto zgjedhje për të mbështetur vetëm emigrantët shqiptarë, por të gjithë emigrantët e Tamperes, të çdo lloj kombësie. Së pari, emigrantët janë dy llojësh: ata që ambientohen dhe integrohen shpejt në shoqëri të huaj dhe ata që nuk e arrijnë lehtë atë. Ndihma ime do të ishte të zhvilloja se pari edukim gjuhësor më avancues për ata që nuk ambientohet dot, duke bashkëpunuar me shërbimet komunale sociale. Nga studimet e shumta që janë bërë deri më tani eshtë vërtetuar se gjuha finlandeze nuk është gjuhë e lehtë për t’u mësuar nga të huajt, gjë që vështirëson komunikimin dhe punësimin e tyre në standartet e kërkuara. Po ashtu, nga ana kulturore, do të fokusohesha të mbështesja me tepër familjet e emigrantëvë për të zvogëluar sado pak izolimin e tyre dhe nxitur pjesëmarrjen në shoqëri. Kam disa ide për të cilat do të punoj në të ardhmen.

About Post Author


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *