PANALBANIAN

Lajmet shqip nga Finlanda

Policia këshillon prindërit për ngacmimet seksuale ndaj fëmijëve në internet

, , ,

Postimi në blog është shkruar nga një punonjës i lartë i krimit që punon në Policinë Qendrore Kriminale Finlandeze për të luftuar abuzimin seksual të fëmijëve

Rrjetet sociale janë pjesë e jetës së përditshme për të gjithë ne, por janë të një rëndësie të veçantë edhe për fëmijët dhe të rinjtë. Nëpërmjet tyre, ne mbajmë kontakte me miqtë dhe takojmë njerëz të rinj. Gjithnjë e më shumë fëmijë të vegjël hyjnë në platforma të ndryshme finlandeze dhe i përdorin ato çdo ditë. Për aq sa mediat sociale kanë sjellë lehtësim në jetën tonë të përditshme, ato kanë anët e veta negative.

Ashtu si krimet e tjera, krimi seksual i fëmijëve është përhapur në internet në platformat e lojërave dhe mediave sociale. “Grooming”, dmth tërheqja e fëmijëve për qëllime seksuale, ndodh jashtëzakonisht shpesh dhe shumica e të rinjve kanë marrë mesazhe të qarta seksuale në internet. Fenomeni është në rritje dhe për fat të keq nuk ka të ndalur. Kohët e fundit është vënë re se fëmijët dhe të rinjtë kanë filluar të shohin komunikim të tonifikuar seksual, ku iu kërkohet të postojnë foto të organeve seksuale apo fotove nudo (lakuriq). Natyrisht, do të ishte e rëndësishme të sigurohet që fëmijët dhe të rinjtë të dinë se kërkesa të tillë nuk ka nevojë të miratohen ose tolerohen.

Krimi seksual ndaj fëmijëve është një temë e vështirë bisede dhe një fenomen që ngjall shumë emocione. Mund të duket më e lehtë të pretendosh se nuk ka asnjë problem dhe të vazhdosh si më parë. Megjithatë, të qenit i vetëdijshëm dhe të flasësh për problemin është ndoshta një nga mënyrat më efektive për të parandaluar abuzimin seksual në internet dhe shfrytëzimin e fëmijëve. Mohimi i ekzistencës së fenomenit, nga ana tjetër, ekspozon gjithnjë e më shumë fëmijë në shfrytëzim. Ndërgjegjësimi duhet të rritet si tek fëmijët ashtu edhe tek të rriturit.

Fëmija duhet të jetë i vetëdijshëm për rreziqet që mund të hasen në botën e internetit. Kjo është përgjegjësi e prindit. Është përgjegjësi e prindit të informojë fëmijën për çdo problem që ai ose ajo mund të hasë në internet dhe të sigurojë mjete për veprim, nëse fëmija i nënshtrohet komunikimit seksual. Një fëmijë mund të përjetojë faj, si dhe ankth kur merr mesazhe seksuale. Kur një diskutim për këtë temë është hapur paraprakisht në shtëpi me iniciativën e prindit, është më e lehtë për fëmijën të raportojë atë që ka ndodhur. Është detyra e të rriturit të krijojë një atmosferë, ku fëmija guxon të ndajë atë që ka përjetuar pa frikë se do të ndëshkohet.

Edhe pse nxitja dhe shfrytëzimi seksual në internet po bëhen gjithnjë e më shumë të njohura për policinë, rastet e denoncuara në polici janë vetëm një pjesë e vogël e të gjitha rasteve. Vlen të mbitheksohet se të qenit i shfrytëzuar apo joshur seksualisht nuk është kurrë faji i viktimës. Një pjesë e madhe e fëmijëve dhe të rinjve ndeshen me “grooming” ose komunikimet e tjera seksuale në internet, por pak njerëz guxojnë t’i tregojnë një të rrituri për këtë. Shpesh arsyeja për të mos thënë mund të jetë se fëmija ka frikë se mos i ndalohet përdorimi i telefonit dhe internetit. Një veprim i tillë e izolon fëmijën ose të riun nga miqtë dhe mjedisi i tyre shoqëror, që padyshim nuk është zgjidhja e duhur.

Përveç diskutimit, do të ishte e rëndësishme që prindi të dinte se çfarë platformash përdor fëmija i tyre, si funksionojnë këto platforma dhe me kë mban kontakt fëmija ose i riu me ta. Do të ishte e rëndësishme të njiheni me cilësimet e privatësisë me fëmijën dhe të mendoni se çfarë lloj informacioni në profil është i sigurt për t’u ndarë.

Pra, si duhet të merreni me komunikimin seksual në internet? Gjëja e parë që duhet të bëni është të bëni fotografi të bisedës dhe të profilit të personit që dërgoi mesazhet. Kjo lehtëson hetimin e policisë dhe ndonjëherë pamjet e ekranit janë një parakusht që të hetohet çështja. Menjëherë pas marrjes së pamjeve të ekranit, duhet të bllokoni përdoruesin që ka dërguar mesazhet. Bllokimi i përdoruesit është mënyra më e mirë për të mbrojtur një fëmijë ose të ri nga përpjekjet e reja për tërheqje ose shfrytëzim. Pas kësaj, është mirë ta diskutoni këtë çështje me fëmijën ose të riun dhe t’i ofroni mbështetje. Nëse diskutimi në shtëpi nuk duket i natyrshëm, për shembull, organizata të ndryshme dhe shërbime të punës për të rinjtë ofrojnë ndihmë për diskutim online. Është gjithmonë një ide e mirë për të bërë një kallëzim penal për atë që ka ndodhur, gjë e cila më së miri bëhet në mënyrë elektronike në faqen e internetit të policisë.

About Post Author


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *