PANALBANIAN

Lajmet shqip nga Finlanda

Ja cilat janë planet e qeverisë për shtetrrethimin

,

Dje, të Dielën, Finlanda përsëri kishte një numër të lartë ditor të infeksioneve, 863 raste të reja. Shifrat tashmë kanë filluar t’i afrohen një kufiri alarmues, veçanërisht në Turku dhe Uusimaa.

Për disa kohë tani, Zyra e Kryeministres Sanna Marin ka përgatitur një model për të kufizuar lëvizjen e njerëzve nëse gjykohet e nevojshme për të frenuar epideminë. Puna përgatitore vazhdoi javën e kaluar pasi qeveria u takua të enjten për të diskutuar mundësinë e kufizimit të lëvizjes.

Sipas modelit të fundit, punonjësit e pozicioneve të nevojshme që është plotësisht e pamundur të punojnë nga shtëpia do të mund të shkojnë në vendin e tyre të punës.

Njëherësh kushdo mund të dalë nga shtëpia për arsye të justifikueshme, si për shembull, për pazar ushqimesh, farmaci, mjek, shërbime të kujdesit shëndetësor dhe gjëra të tjera të nevojshme.

Ju mund të dilni jashtë me anëtarët e familjes tuaj ose me ata më të cilët ndani qeranë e shtëpisë. Përveç kësaj, dikush që jeton vetëm mund të dalë në natyrë me një mikun a të afërmin e tij për sport dhe rekreacion.

Një nga çështjet e shumë diskutuara në bisedimet e qeverisë të enjten gjithashtu kishte të bënte me moshën në të cilën do të zbatohej kufizimi.

Përgatitja e ndalim-qarkullimit apo thënë ndryshe shtetrrethimit është bazuar në parashikimin që nuk do të zbatohet për fëmijët më të vegjël. Të paktën në klasat e para të shkollës fillore, mësimdhënia në kontakt do të vazhdonte si më parë. Aktualisht klasat e 7-ta, 8-ta, 9-ta janë në mësimin në distancë

Kufizimet, fillimisht do të zgjasnin vetëm për një maksimum prej tre javësh. Qeveria nuk parashikon që kufizimet e lëvizjes të shtrihen në të gjithë Uusimaa. Vendimet do të merre në bazë të statistikave, por duket qartë se të paktën Espoo, Vantaa, Helsinki, Kauniainen dhe Turku do t’i nënshtroheshin kufizimeve. Izolimi i Uusimaa, sikurse ndodhi pranverën e shkuar, nuk shihet më si një opsion nga qeveria.

Ilta Sanomat shkruan se vendimet përfundimtare mbi shtetrrethimin nuk janë marrë ende, por përgatitjet janë duke vazhduar. Vendimet përfundimtare do të merren vetëm nëse duhen kufizimet shtesë. Aktualisht, qeveria vazhdon të monitorojë normat ditore të infeksioneve dhe ndikimin e mbylljes së restoranteve në frenimin e pandemisë.

Të mërkurën, qeveria do të ketë takimin e radhës për të diskutuar kufizimet e reja të mundshme. Megjithëse disa parti qeveritare kanë qenë shumë kritike ndaj shtetrrethimit në publik, sipas IS, ekziston një Konsensus dhe gatishmëri për të futur kufizime të ngjashme nëse situata e kërkon këtë./IS

 

About Post Author


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *