PANALBANIAN

Lajmet shqip nga Finlanda

Deri në fund të korrikut, BE siguron 70 % të vaksinave

, ,

Bashkimi Evropian do të sigurojë doza të mjaftueshme për të imunizuar 70 për qind të të rriturve deri në fund të korrikut, tha të premten shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Më herët ajo kishte përmendur fundin e muajit shtator, por gjatë një vizite në një fabrikë belge për prodhimin e vaksinave, ajo e ndryshoi afatin.

“Unë besoj se deri në korrik do të kemi doza të mjaftueshme për të vaksinuar 70 për qind të të gjithë të rriturve në BE”, tha von der Leyen, në një fabrikë që prodhon vaksinën Pfizer/BioNTech.

Ajo paralajmëroi se në ditët e ardhshme blloku evropian do të arrijë një kontratë të re me kompaninë Pfizer/BioNtech për sigurimin e një shtese prej 1.8 miliardë dozave të vaksinës gjatë vitit 2020 dhe 2023.

Vaksina Pfizer, e zhvilluar me partnerin gjerman BioNTech, është e shtrenjtë në krahasim me disa konkurrentë dhe përdor teknikën mRNA që mund të përshtatet me variantet e ardhshme të koronavirusit.

Komisioni Evropian kishte një fillim të vështirë në realizimin e planit për blerjen e përbashkët të vaksinave për 27 vendet anëtare. Procesi u ballafaqua me mungesa në furnizim, veçanërisht me vaksinën AstraZeneca të Mbretërisë së Bashkuar.

Por, Ursula von der Lyen falënderoi Pfizer dhe nënkontraktorin e saj për “përpjekjen e madhe” për ofrimin e mundësive të furnizimit.

Komisioni Evropian po harton plane për të ndërmarrë veprime ligjore kundër AstraZenecas, për dështimin e saj në përmbushjen e objektivave të shpërndarjes së vaksinave.

About Post Author


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *