Çmimet e ushqimeve në Finlandë do të rriten me 1.8 për qind

Çmimet e gazit natyror kanë shkuar në qiell në mbarë botën, duke krijuar një tendosje mbi financat e prodhuesve bujqësorë, sidomos nga rritja e çmimit të plehrave.

Rritjet e kostove janë një arsye për pritshmërinë që çmimet e ushqimeve të rriten edhe në Finlandë. Pellervo Economic Research (PTT), për shembull, po parashikon që çmimet e ushqimeve do të fillojnë të rriten drejt fundit të vitit dhe do të rriten me 1.8 për qind në 2022, duke tejkaluar rritjen e çmimeve të konsumit.

Plehrat janë një zë kryesor i kostos për fermerët si Kallepekka Toivonen në Nurmijärvi, Finlanda Jugore. Toivonen i tha YLE se çmimet e plehrave, pa llogaritur taksat,  janë dyfishuar afërsisht në 12 muajt e fundit.

“Ajo që është më e keqja, askush nuk mund të thotë se për sa kohë do të vazhdojnë të rriten,” tha ai.

Kompania e transmetimit publik theksoi se janë rritur edhe kostot e tjera të prodhimit – duke filluar nga çmimet e energjisë dhe çmimet për ushqimin e kafshëve deri te shërbimet e ndërtimit dhe rinovimit. Me rritjen e kërkesës për ushqime dhe përmirësimin e fuqisë blerëse të konsumatorëve, rritja e kostove mund të transferohet në çmimet e konsumit, sipas PTT.

Zhvillimi i çmimeve ka qenë relativisht modest në Finlandë në vitin 2021, veçanërisht në krahasim me mesataren në BE. Rritja e kostove në të gjithë zinxhirin e prodhimit, megjithatë, ka një ndikim të vonuar në çmimet e konsumit për shkak të natyrës afatgjatë të marrëveshjeve të furnizimit midis prodhuesve dhe shitësve me pakicë, kujtoi Jyrki Niemi, një profesor i politikës bujqësore në Institutin e Burimeve Natyrore në Finlandë.

“Marrëveshjet aktuale zgjasin praktikisht deri në fund të vitit, që do të thotë se rregullimet e çmimeve nuk priten deri në fillim të vitit të ardhshëm,” shpjegoi ai për YLE.

Niemi theksoi se pozita e prodhuesve bujqësorë në zinxhirin e prodhimit është relativisht e dobët, duke i bërë ata viktima të çmimeve. Rritja e çmimeve të plehrave, si rezultat, zakonisht i shtyn shumë prodhues të reduktojnë përdorimin e plehrave, duke çuar në ulje të vëllimeve të prodhimit dhe çmime më të larta të konsumit.

Ai shtoi se fenomeni është global, ku çmimet e tregut për produktet bujqësore janë rritur me më shumë se një të tretën këtë vit. “Kjo është një rritje relativisht e shpejtë,” tha ai.

Ndonëse rritjet ndihen veçanërisht nga familjet me të ardhura të ulëta, ato mund të mos jenë një fenomen krejtësisht negativ në terma afatgjatë.

“Çmimet e ushqimeve nuk përfshijnë të gjitha kostot që [ushqimi] shkakton për klimën dhe mjedisin. Prandaj pritet që në të ardhmen çmimet të rriten më shumë nga sa kemi parë deri më tani”, theksoi Niemi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d bloggers like this: