PANALBANIAN

Lajmet shqip nga Finlanda

Shkrimtari Ndrek Gjini sjell në shqip poezitë e Presidentit

, ,

Nga Artur Kopani/
Shkrimtari Ndrek Gjini i ka sjellë publikut shqiptar librin me poezi “Stinë e Thatë”, i cili prej një jave është i ekspozuar në libraritë e qyteteve shqiptare. Kjo përmbledhje e poezive të poetit irlandez, Michael D. Higgins është përkthyer prej Gjinit nga anglishtja në shqip. Higgins, i cili është zgjedhur për të dytin term Presidenti i Irlandës, është një nga personalitetet më me ndikim të kohës në jetën kulturore dhe politike të këtij ishulli. Ai është i njohur si politikan, poet, sociolog dhe gazetar dhe ka publikuar pesë libra me poezi dhe tre libra me publicistikë.
Nga e majta në të djathtë: Vincent Holmes, General Administrator i The Galway Review, Michael D. Higgins, Presidenti i Irandës dhe Ndrek Gjini, Managing Editor i The Galway Review.

Nga ana tjetër përkthyesi Ndrek Gjini, është një autor i njohur shqiptar me shumë botime të spikatura në publicistikë dhe literaturë, i cili studimet dhe krijimtarinë i ka ndarë mes Shqipërisë dhe Irlandës. Gjini boton rregullisht në mediat më të njuhura shqiptare dhe irlandeze, herë poezitë tij apo përkthime të vyera, herë gërmime dhe studime në arkiva mbi personalitete dhe realitete te panjohur apo të harruar, si edhe herë pas here përkujdesje për të mos dëmtuar gjuhën, apo dëshmi për zigzaget e çmendura dhe të rrezikshme të demokracisë shqiptare.

Disa prej botimeve të tij janë “Prijesit e Rebelimit” (Publicistike), 2001. “Rivrasja e Azem Hajdarit” (Publicistike), 2002. “The Death of Night” (Poezi të zgjedhura), 2011. “Shtepia e mallkuar” (Drame me dy akte), 2011, Historia Reale e Shqiperise,(Publicistike) 2012.

Më poshtë është një prej poezive të përfshira në këtë botim të fundit. Unë kam patur rastin ta lexoj në dorëshkrim këtë libër dhe jam i bindur se talenti i Ndrekës në shqipërimin e poezive të përzgjedhura do t’i lejojë dhe ndihmojë bashkëkombasit tanë të kuptojnë se si këmbëngulja tek drejtësia, barazia sociale, antiracizmi dhe atdhedashuria të mundësojnë të shkruash poezi të bukura dhe të votohesh masivisht nga populli si President.

“Kujtesa”, që Ndreka përfshin në librin e Presidentit sjell një këshillë, por edhe pse jo edhe një ngushëllim: “Duke ikur prej errësirës, një dritë të re shpërndajmë.”

Libri me poezi “Stinë e thatë” i Michael D. Higgins,
STINE E THATE
Autori – Michael D.Higgins
~~Poezi~~
Kujtesa
“Dhe siç ka thënë Ricouer,
të vrasësh kujtesën
do të thotë të vdesësh për së dyti”.
Pra kurrë nuk duhet lejuar
që dhuna të harrohet.
Aministia mjafton
vetëm si një akt i shkruar.
Dhe kush e di
nëse ajo është bërë në kohën e duhur,
apo nëse mund të sjellë ndonjë shërim,
në mos qoftë krejt veç si një mbrëmje faljeje
që thjeshtë ia vlen ta mbash.
Ne veç pohojmë.
Shpresa na mban gjallě.
Duke ikur prej errësirës
një dritë të re shpërndajmë.

About Post Author


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *