PANALBANIAN

Lajmet shqip nga Finlanda

Sakatimi i gjuhës shqipe në betejën e zgjedhjeve

, ,

Nga Ndrek Gjini*

Kjo fushatë është më e veçanta në këto 30 vite pluralizëm në Shqipëri. E kanë bërë të tillë jo vetëm situata tejet konfliktuale politike, tërmetet dhe COVID-19, por dhe ndikimi i shtuar ose thënë ndryshe, (sh)përdorimi i rrjeteve sociale. Siç dihet, rrjetet sociale, më i (sh)përdoruri ndër to në Shqipëri; Facebook, është lehtësisht i aksesueshëm nga të gjithë. Çdo person që ka një telefon mund të postojë çfarë t’i thotë mendja. Në çdo kohë; kur është i pirë, i pa pirë, i mërzitur, i lumtur etj. Dhe në situatën aktuale, (fushata elektorale), glorifikimi apo sulmet idhnake ndaj kandidatëve janë tema më e preferuar.

Mirëpo, gjithsecili duke postuar, pasqyron përveç të tjerash, dhe dy elementë që kanë lidhje me gjuhën dhe qasjen personale mbi këto dy elemente të gjuhës që janë; Gjuha e Kulturuar dhe Kultura e Gjuhës.

Le t’i shqyrtojmë: Gjuha e Kulturuar është ai element i mënyrës së të shprehurit që varet nga karakteri, personaliteti, edukata dhe gjendja psikologjike dhe emocionale e çdo personi apo grupi shoqëror. Ajo është një kategori antropologjike, dhe si e tillë nuk mund të ndryshohet me kurse trajnimi, shkollimi apo provime. Duhen gjenerata, pra brezni, që ajo të përmirësohet. Për rrjedhojë, duke qenë se është e tillë as nuk ia vlen ta analizojmë më tej. Kjo pasi nuk mund të bëjmë asgjë për përmirësimin e saj në dobi të kësaj fushate.

Krejt ndryshe qëndron puna me atë qe quhet Kultura e Gjuhës. Kjo e dyta është një prej degëve të gjuhësisë, që merret me studimin dhe përcaktimin e normës letrare në të gjitha rrafshet e sistemit të gjuhës, me zbulimin e prirjeve të zhvillimit të gjuhës letrare për të ndikuar mbi të në pajtim me këto prirje, si dhe me rrugët për përvetësimin e zbatimin e normës letrare.

Kultura e Gjuhës kuptohet, gjithashtu, si kujdesi për të shkruar e për të folur gjuhën letrare sipas rregullave përkatëse e sipas modeleve më të mira të pranuara nga shoqëria në një periudhë të caktuar.

Po t’u hedhësh një sy profileve zyrtare të kandidatëve për deputet të kësaj fushate të zë lemeria me nivelin skandaloz të sintaksës, gramatikës dhe të gabimeve të rënda drejtshkrimore të postimeve, ripostimeve dhe komenteve në këto profile. Është një barbarizëm i vërtetë që i bëhët Gjuhës Shqipe. Shpesh në këto profile shpaloset një sakatim dhe shpërfytyrim barbar i rregullave drejtshkrimorë të Gjuhës Shqipe, shfaqur kjo në formimin e fjalive, shkrimin e fjalëve drejt, dhe në vendosjen e shenjave të pikësimit. Është një shëmti e vërtetë, një karikaturë e turpshme e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, dhe e krejt Kulturës së Gjuhës. Por, mendoj se Kultura e Gjuhës, ndryshe nga Gjuha e Kulturuar është një element që mund të kontrollohet, rregullohet e përmiresohet lehtë.

Dhe për të realizuar këtë mjafton që çdo kandidat për deputet në shtabin elektoral të punësojë për këtë periudhë fushate një mësues me përvojë të Gjuhës dhe Letërsisë. T’i besojë atij kontrollin e faqes zyrtare të fushatës, dhe korrigjimin paraprak të çdo postimi apo ripostimi në këtë faqe. Dhe madje mund të shkohet më tej. Ky person i ngarkuar me këtë detyrë mund të iu shkruaj privatisht të gjithë komentuesëve se si mund t’i rregullojnë komentet që ato postojnë në përputhje me rregullat e Drejtshkrimit te Gjuhës Shqipe dhe në këtë mënyrë, edhe komentuesit shfaqën më të kulturuar gjuhësisht, edhe faqja zyrtare e kandidatit duket më e kururar dhe serioze.

Mësuesit me përvojë të Gjuhës dhe Letërsisë nuk mungojnë, pasi çdo zonë elektorale ka me dhjetra apo qindra të tillë. Kështuqë më mirë të angazhohet një mësues i Gjuhës Shqipe për të bërë një punë të tillë fisnike, se sa të angazhohen me dhjetra militantë që bërtasin e tundin flamujt e partisë dhe u bien borive të makinave, duke iu shtuar karvanit të makinave në mënyrë që ky karvan të duket më i gjatë se ai i palës kundërshtare.

Për mendimin tim kjo ka një rëndësi të vencantë. Kjo pasi Kultura e Gjuhës pasqyron kulturën përsonale dhe atë të shoqërise në të cilën jetojmë. Ndofta nuk është vendi dhe as rasti ta permend në këtë shkrim, por shumë vende të Evropës e kanë kusht apo e thënë ndryshe provim Kulturën e Gjuhës për çdo vënd pune në administratë.

Disa shtete e kanë provim, (test me shkrim dhe me gojë) për çdo të huaj që aplikon të marrë shtetësinë e atij vendi. Madje, disa shtete të tjera e aplikojnë këtë test edhe për vetë deputetët e parlamenteve të tyre. (Po të behej një test i tillë nuk jam i bindur se sa prej deputetëve tanë do ta kalonin atë.)

Por, le të flasim pak për  Kulturën e Gjuhës. Cila eshte historia e saj në Shqipëri? Qysh në periudhën e Rilindjes e më pas, në shtypin shqiptar janë zhvilluar diskutime dhe janë diskutuar probleme të ndryshme të kulturës së gjuhës. Synimi i tyre ka qenë qysh në krye të herës zgjimi i vetëdijes shoqërore ndaj gjuhës, dëshira për ta bërë problem kombëtar e atdhetar ruajtjen e shqipes dhe, natyrisht, për të mprehur konceptimin e gjuhës si tipar themelor i kombit dhe i njësisë kombëtare të shqiptarëve.

Duhet të përmendet sidomos krijimi i Institutit të Shkencave dhe i sektorëve shkencorë përkatës për mbledhjen, njohjen dhe botimin e leksikut popullor e të vjelë nga botimet e shkruara, duke shpënë më tej atë veprimtari që kishin nisur me vullnet të mirë Kostandin Kristoforidhi dhe nxënësi i tij besnik Aleksandër Xhuvani dhe një plejadë mësuesish e dashamirësh të shqipes.

Në vitet 1952, 1953 u bënë diskutime dhe u organizuan konferenca shkencore për probleme të kulturës së gjuhës, sidomos për ortografinë (drejtshkrimin) dhe pastërtinë e gjuhës. Me rëndësi të dorës së parë qe më 1956 botimi i librit “Për pastërtinë e gjuhës shqipe” nga Aleksandër Xhuvani, i cili do të mbetej si gur themeli në ngrehinën e gjuhës shqipe.

Në vitin 1967 në Institutin e Historisë së Gjuhësisë u formua edhe një grup pune a sektor i kulturës së gjuhës, që kishte për detyrë kryesore organizimin e punës paraprake për “Rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe”. Dhe në fakt, në 1967, mbas një pune të gjatë e të kujdesshme u botua dhe “Projekti i rregullave të drejtshkrimit” , i cili i parapriu dhe vendimit e sanksionimit të tyre, së pari, më 1968 me Konsultën Gjuhësore të Prishtinës dhe, 4 vjet më pas, me Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972).

Kongresi i Drejtshkrimit përbën një nga aksionet më të mëdha mbarëkombëtare në fushën e kulturës së gjuhës shqipe. Në pajtim me mendimet dhe udhëzimet e shprehura në Rezolutën e Kongresit u hartuan pa humbur kohë, dy veprat kryesore normative:

“Rregullat e drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe” (1973) dhe “Fjalori drejtshkrimor” (1976), që, me të drejtë, vlerësohen si botimet më të rëndësishme në këtë fushë. Ato u ndoqën, ndërkaq, edhe nga botimet “Gjuha letrare për të gjithë”.

(1976), “Norma letrare kombëtare dhe kultura e gjuhës” (1973).

Theksojmë, gjithashtu, botimin më 1981 të “Rregullat e pikësimit të shqipes”, si projekt. Të gjitha këto vepra normative patën ndikim të dukshëm në përmirësimin e kulturës së gjuhës shqipe brenda dhe jashtë trojeve të Republikës së Shqipërisë.

Mbështetje të fuqishme për rritjen e nivelit të kulturës së gjuhës kanë pasur, gjithashtu, botimi i veprave madhore të gjuhësisë shqiptare: “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” (1980, 2000, 2006) dhe “Gramatika e gjuhës shqipe” (1978).

Veprimtaria në lëmin e kulturës së gjuhës dhe sidomos puna për pastërinë e gjuhës shqipe, prej vitesh, është bërë problem i mprehtë i cili vijon edhe në ditët tona. Për t’u përmendur janë faqet e revistës “Gjuha jonë” kushtuar zëvendësimit të fjalëve të huaja me përgjegjëset e tyre përkatëse të shqipes dhe libri “Fjalor për pastërtinë e gjuhës shqipe” (1998).

Problemet teorike e praktike të kulturës së gjuhës kanë zënë vend të gjerë dhe në disa prej konferencave shkencore kombëtare, si: “Gjuha letrare kombëtare shqiptare sot” (Tiranë, 1992), “Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot” (Tiranë, 2002) si dhe Konferencat shkencore me rastin e përvjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit (Tiranë, 1982. Tiranë, 1997, Korçë, 2012).

* MA, National University of Ireland, Galway

About Post Author


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *